Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Pa TC ‘Kosova e Re’ jemi refugjatë

Ndërtimi i një termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’ po konsiderohet i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’  tha se megjithë koston e ambientit, termocentrali duhet të ndërtohet.

“Unë fëmijëve të Kosovës ju them se pa këtë energji, krejt jemi refugjatë nëse nuk prodhojmë sepse ne bilancin tregtar e kemi vetëm 12 për qind, 88 me 12.  Nëse edhe rrymën duhet ta importojmë siç po na sugjerohet prej disave me ja ble kojshive na krejt duhet me shku refugjatë”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu vlerësoi se teknologjia e re e këtij termocentrali e bën të lakmueshëm si burim i energjisë elektrike për Kosovën në të ardhmen.

“Termocentrali ‘Kosova e Re’ bjen teknologjinë më të re të mundshme që aplikohet në BE sot dhe është zëvendësim për najnjoni prej të vjetërve, ose A-në ose B-në që janë lodhë. E vërtetë që energjia me qymyr nuk është e pastër si energjitë tjera, nuk është alternative por është teknologji e avancuar”, tha ai.

Haradinaj mori pjesë në konferencën për Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm që trajton temat e ambientit.

Në pjesën e parë të këtij emisioni u shfaq intervista me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell që foli lidhur me marrëveshjen e ambasadës me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për punësime me meritë në poste publike.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: