Haradinaj nuk raporton para Komisionit për ndarjen e 500 mijë eurove për 11 vjetorin e Pavarsisë

Kryeministri, Ramush Haradinaj, nuk ka qenë i pranishëm për të raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për ndarjen e 500 mijë eurove për festimin e 11 vjetorit të Pavarsisë.

Kryetari i këtij komisioni Driton Selmanaj tha se nuk ka logjikë ndarja e 500 mijë eurove për festimin e pavarsisë, pasi nuk ka asnjë përputhje logjike në mes të aktiviteteve dhe shumës së ndarë.

“Janë ndarë diku rreth 500 mijë euro dhe duke e krahasuar me vitin 2017, qeveria e atëhershme ka ndarë vetëm 70 mijë euro. E kemi lexu edhe agjendën dhe e kemi parë që nuk ka asnjë përputhje as logjike, e as praktike e buxhetore, në mes aktiviteteve të organizuara dhe shumës së ndarë. Por nga ana tjetër kemi një kompani, e cila quhet ‘Dizarium’, dhe neve na kish interesu se si është përzgjedh kjo kompani, që ka ofru një çmim diku rreth 109 mijë euro për mbulimin e këtyre aktiviteteve”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka thënë se as kryeministri e as zëvendësat e tij, nuk po vijnë në komision për të raportuar.

“Dhe sot nuk mundemi ta trajtojmë, sepse nuk i kemi prezent personat përgjegjës të cilët i kanë marrë këto vendime. Neve na duhet kryeministri ose pesë zëvendësat e tij. Mbledhjen e kaluar e kemi pasë ministrin e finanvave, i cila tha mua mos më ngushtoni sepse po kërkoni me e pre degën ku qëndroj unë. Ministri i financave nuk vjen, kryeministri nuk vjen, zëvendësat e tij nuk vijnë, vërtetë jemi në një situatë të palakmueshme”, ka deklaruar Selmanaj.

Për ndarjen e 500 mijë eurove reagoi edhe Mërgim Lushtaku nga PDK-ja, ku tha se këto mjete më mirë do të ishin të shpenzoheshin për familje të cilat kanë nevojë.

Ndërsa Avdullah Hoti nga LDK-ja tha se është shumë shqetësuese ndarja e një shumë të tillë, dhe kërkoj nga kryeministri që mbledhjen e ardhëshme të jetë prezent që të raportojë para komisionit.

Për këtë pikë u vendos të diskutohet në mbledhjen e rradhës, ku do të ftohet kryeministri Haradinaj, ose njëri prej pesë zëvendësministrave të tij.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për raportin e auditorit për Zyrën e Kryeministrit, ku Fitim Krasniqi nga kjo zyre, tha se e kanë marrë raportin dhe do të ndërmarrin masa, pasi aty është vërejtur një gabim teknik dhe janë dhënë dy rekomandime.

Gjithashtu u hedh shorti për auditimin e raporteve financiare të partive politike