Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Nuk e Kemi Ende Shkresën për Gjykatën Speciale

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ende nuk e kanë marrë shkresën dhe nuk e dinë se çfarë përmban materiali i drejtuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Nuk e di si do të veprojmë sepse ende nuk e kemi”, tha Haradinaj lidhur me procedimin nga Kryesia e Kuvendit për një mendim në Qeveri të Projektligjit për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Këto komente kryeministri Haradinaj i bëri gjatë një vizite në Obiliq, ku u takua me udhëheqjen komunale dhe qytetarë të kësaj komune.

Sot, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dërguar për mendim në Qeveri iniciativën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli njoftoi lidhur me vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë.

“Kemi filluar sesionin pranveror. Do të kemi vazhdim të seancës me datën 25 janar, kemi disa pika për vazhdim të seancës pastaj janë edhe 18 pika që do të jenë në seacën e re”, tha Veseli.

http://kallxo.com/iniciativa-per-specialen-pret-mendim-nga-qeveria/

Veseli po ashtu komentoi largimin nga mbledhja e Kryesisë të shefit të  Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti sapo është hapur diskutimi për çështjen e shfuqizimit të Speciales.

Veseli tha se kjo është tashmë çështje procedurale.

“Iniciativa për shfuqizim është dërguar për mendim të qeverisë, nuk ka pasur nevojë askush të dalë nga mbledhja, është çështje procedurale.”, tha Veseli.

Ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale erdhi më 22 dhjetor të vitit të kaluar kur 43 deputetë nënshkruan kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme. Që nga atëherë, kryesia e Kuvendit ka dështuar dy herë që ta vendosë këtë pikë në rend të ditës për shkak të mungesës së kuorumit në kryesi.