Haradinaj nuk e di se me aeroplanin e kujt ka udhëtuar për në Gjermani

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas kthimit nga Gjermania ka dalë në një konferencë për media.

Aty ai është pyetur nga gazetarët se me aeroplan të kujt ka udhëtuar drejt atij shtetit, por se ky ka thënë që nuk është në dijeni.

“Nuk e di i kujt ka qenë aeroplani i kuq. Është marrë zëvendës kryeministri Pacolli me këtë punë, me atë jemi shku. Udhëtimi ka qenë i organizuar nga ministria e Punëve te Jashtme. Jam kthy me EasyJet”, tha Haradinaj në përgjigjen dhënë për KALLXO.com

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se aeroplani privat i zëvendës kryeministrit është në servis, andaj kompania që bën servisimin ua ka dhënë në përdorim një aeroplan tjetër.

“Aeroplani i zëvendës kryeministrit Pacolli është në servis të rregullt. Rëndom në raste të tilla kompania dërgon aeroplan të tjerë me të cilat kryhen shërbimet e kërkuara nga zëvendës Kryeministri Pacolli”, tha Zyberaj për KALLXO.com

Në deklarimin e pasurisë për këtë vit, Pacolli e ka vlerësuar aeroplanin e tij 9 milionë e 900 mijë euro.

https://kallxo.com/haradinaj-nga-gjermania-kosova-pro-dialogut-me-njohje-ne-kufijte-ekzistues/