Kryeministri Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com
Haradinaj: Nesër Vjen Kryeministri Malazez
Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi sot se homologu i tij malazez, Dushko Markoviq, do të vijë nesër për vizitë në Kosovë.
Vizita e kryeministrit malazez ishte paraparë të zhvillohej të martën e kaluar, por ajo u anulua për shkak të motit.
Markoviq vjen në Kosovë në kohën kur po zhvillohen debate të ashpra rreth ratifikimit ose jo të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje është një prej dy kushteve të cilat Kosova duhet t’i përmbushë sa më shpejt nëse dëshiron që për qytetarët e saj vendet europiane të heqin vizat.
Kundër Marrëveshjes së nënshkruar më 2015 është AAK dhe lideri i saj – kryeministri Haradinaj, dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas Haradinajt, me këtë Marrëveshje Kosova humb mijëra hektarë territor.
I pyetur nëse gjatë vizitës në ShBA është diskutuar tema e Demarkacionit, Haradinaj në konferencën e sotme për media tha se pritja në Amerikë ka qenë pritje për një partner dhe se nuk u kanë dhënë detyra.
“Kanë pasë qejf me na dëgju. Jemi trajtuar si partnerë. Për dallim nga vizita në Bruksel, ku kur i prezantoja pikëpamjet tona bëheshin nervoz, në Uashingron nuk ishte kështu”, tha kryeministri.