Haradinaj: Nëse përmendet tema e kufijve, çohem nga tavolina

Kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media, u deklarua lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se me presidentin Hashim Thaçi janë duke diskutuar, por se pozicioni i tij kundër korrigjimit të kufijve është i qartë.

“Jemi në prag të një dakordimi për drejtimin që do të ecim bashkë. Në moment që hapet ajo temë (korrigjimi i kufirit), nuk jam më në tavolinë të diskutimit. Jemi duke biseduar, e vërteta është kështu ka një kohë të gjatë që ekziston një teori e marrëveshjes shqiptaro-serbe. Tashmë  diskursi ka ndryshuar. Pozicioni im është i qartë, në mënyrë korrekte. Është logjikë e gabuar me u kthy prapa për diçka që e kemi mbërri. Ne synojnë anëtarësimin në BE”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së Haradinaj në bisedimet në Bruksel, kryeministri tha se nuk ka kohë për të marrë pjesë atje.

“Unë s’e mohoj kryerjen e funksioneve që mi jep kushtetuta, po realisht për këtë çështje  problemi është te koha. Për dialog nuk kam shumë kohë”, tha Haradinaj.

Gjatë ditës kryeministri dhe presidenti kanë zhvilluar polemika  nëpërmjet Facebook-ut, për çështjen e kufijve.