Haradinaj: Ndarja e fondeve për Notre-Dame, gjest mirënjohës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar për media në lidhje me ndarjen e fondeve nga Qeveria për restaurimin e katedrales Notre Dame, në Paris.

Haradinaj nuk e përmendi shumën e saktë që do të ndahet, por tha se kjo po bëhet pasi shqiptarët njihen për gjeste të tilla mirënjohëse.

“Duhet me bë kujdes në deklarime, gjithë ne edhe të gjithë politikanët, ky është një gjest sepse na nuk e rinovojmë se ju e dini sa e shtrenjtë është ajo, por shqiptarët shuhen për një gjest dhe qasje të tillë”, tha ai pas pauzës së Kuvendit të Kosovës.

Ai pati edhe një mesazh ndaj deputetit Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ju kisha lut të gjithëve mosni se nuk e kanë mirë ata që po mundohen me ua shëndosh zemrat të varfërve apo të sëmurve, edhe Franca na shëron njerëzit, Franca është e pasur, sot atje strehoen dhjetëra e mijëra kosovarë edhe të Prishtinës, mosni ashtu mos nxitni”, tha kreu i ekzekutivit.

“I ndëgjova disa deklarata të Lumirit edhe Shpendit, por runu sepse janë dhjetëra e mijëra qytetarë atje, marrin pare për çdo muaj qofsh si kërkues strehimi është një gjest, nuk e rinovojmë ne por është një gjest si mirënjohës”, shtoi Haradinaj.

Për këtë vendim Haradinaj u kritikua nga njerëz të politikës në vend.

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi përmes një statusi në Facebook, ka numëruar disa nga monumentet të cilat presin fonde për t`u restauruar si dhe ka përmendur disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas këtij paralajmërimi të qeverisë, duke thënë që Franca nuk ka nevojë për parat e Kosovës.

Kurse, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti,  tha se me fondet që të do të ndahen për katedralen në Paris, sipas tij, do të ishte më mirë të investohej në raste sociale.

Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi nga zjarri më 15 prill, dyshohet se zjarri ishte shkaktuar aksidentalisht.

 

 

 

17 Prill 2019 - 15:25

Arbisa Shefkiu 17/04/2019 - 15:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend