Takimi i tretë për MSA-në - Foto: Qeveria e Kosovës

Haradinaj: Mosliberalizimi i vizave, Kosova ndihet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e tretë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së ka shprehur shqetësimin e tij ndaj vendeve europiane për mosheqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Përkundër neglizhencës dhe mungesës së qartësisë për perspektivën tonë europiane nga ana e BE-së, Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët” ka thënë Haradinaj sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës.

Tutje kryeministri ka thënë që Kosova, pavarësisht neglizhencës mbetet e përkushtuar në rrugën europiane.

“Me bindje të plotë mund të them se nuk ka vend në Europë më të përkushtuar ndaj idealeve të Bashkimit Europian se sa Kosova. Vlerat tona janë vlerat tuaja, shpresat tona për fëmijët tanë janë të njëjta me shpresat tuaja për fëmijët tuaj”, citohet të ketë thënë ai.

I pari i Qeverisë në këtë takim të MSA-së nuk ka lënë pa përmendur sukseset e kosovarëve të botë.

“Kosova është shoqëri dinamike, që ka rini edhe më dinamike. Ata nuk i gëzojnë liritë që për ju janë normale. Ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm, nuk mund të tregtojnë lirshëm, nuk mund të luajnë lirshëm dhe nuk mund të jenë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë në komunitetin e kombeve të lira. Përkundër këtij fakti fatkeq, ata thyejnë barriera, edhe pa pasur viza, duke arritur rezultate të nivelit botëror në sport, muzikë, arsim, inovacion. Dhe kjo shumë lehtë mund të ketë qenë arritje e Europës”, ka theksuar Haradinaj.

Sipas tij, Kosova është zhgënjyer dhe tradhtuar nga BE-ja për mosliberalimin e vizave, me ç’rast ai ka kërkuar nga Bashkimi Europian hapa konkretë për këtë çështje.

“Edhe pse Kosova zbatoi të gjitha 95 kriteret e paracaktuara, siç është konfirmuar nga Komisioni në muajin maj, përgjigjja që marrim nga BE është gjysmake dhe e pashpresë. Edhe përkundër angazhimit të plotë në Agjendën e Reformës Europiane(ERA), dhe reformave të fuqishme të ndërmarra për të fuqizuar sundimin e ligjit dhe institucionet e tij, Kosova ndjehet e tradhtuar dhe e zhgënjyer nga BE. Njerëzit tanë sprovohen përtej asaj që është e arsyeshme dhe e drejtë. Koha nuk është miku ynë. Duhet të shohim progres konkret”, ka thënë po ashtu Haradinaj.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar një sinjal të qartë nga BE-ja se kjo e fundit i respekton arritjet e Kosovës dhe se Kosova ka mbështetjen e saj në realizimin e lëvizjes së lirë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Haradinaj në këtë takim ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë që me idenë për ‘korrigjim’ ky dialog ka dalë nga binarët.

“Njëzet vjet pas luftës, dhjetë vjet pas pavarësisë, dhe pesë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit, realiteti është se, përparimi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë minimal, dhe në fakt tani ka dalë krejtësisht nga binarët, veçanërisht me diskutimin publik mbi idenë fatale të korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territorit; Ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e ndërmjetësuesit, dhe ka dëmtuar arritjet që kemi bërë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për më shumë se 7 vjet”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka përmendur zotimin e tij që të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë duke shtuar se për këtë Kosova ka bërë edhe një ekip negociator.

“Unë kam ecur përpara dhe kam paraqitur një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse që e keni parë, si hap fillestar drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të ecim përpara. Përveç kësaj, më 15 dhjetor Parlamenti i Kosovës votoi delegacionin e Kosovës për dialog. Delegacioni do të bashkëkryesohet nga Zëvendëskryeministri Limaj dhe kreu i Partisë Socialdemokratike Shpend Ahmeti”, ka thënë ai.

Sipas tij përfshirja e Shteteve të Bashkuara në udhëheqjen e dialogut është kyç, përderisa BE-ja ofron garanci, për të mbushur hendekun e mundshëm midis dy vendeve.