Pamja nga një takim i mëhershëm i Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

Haradinaj i Do Ministrat Aktivë edhe më 31 Dhjetor

Kryeministri Ramush Haradinaj u kërkoi sot ministrave të kabinetit të tij që të jenë aktivë edhe në natën e ndërrimit të moteve.

“Ministri i FSK-së është mirë që të shkojë në vizitë tek ndonjë kazermë e FSK-së, Ministri i Punëve të Brendshme në ndonjë stacion policor, ti Uran(Uran Ismajli) në ndonjë spital, e Abelardi në burgje”, tha Ramush Haradinaj në mbledhjen e qeverisë.

Haradinaj e përsëriti që të shtënat me armë janë traditë e vjetër shqiptare, por kërkoi që të mos ketë të shtëna për Vit të Ri.

“E kam përmendur edhe në një intervistë se qitja me armë është traditë shqiptare, me të vërtetë është traditë e hershme shqiptare, por kjo nuk na bënë nder. Le të kursehemi, të mos ketë incidente tjera”, tha Haradinaj.

“Drejtësia në Kosovë” të premten shfaqi rrëfimet e personave që u plagosën nga plumbat qorr në festa, bashkë me tregimin e një nëne që humbi djalin në natën e Vitit të Ri.