Haradinaj: Masakra e Izbicës dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe sot tek varret e 147 të rënëve nga forcat serbe në fshatin Izbicë të Skenderaj, me rastin e 20 vjetorit .

Haradinaj në ketë rast tha se masakra e Izbicës është dëshmi e rrugës drejt lirisë, gjithashtu në fjalimin e tij, kujtoi viktimën më të re të kësaj masakre.

“Një nga viktimat e kësaj masakre ishte edhe Dafina, një vajzë e vogël, më pak se një vjeçe. Kjo dëshmon që Izbica ishte një ndër masakrat më makabre, që kanë ndodhë në Kosovë dhe të tilla, për fat të keq ka në të gjithë vendin”, tha kryeministri Haradinaj.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Haradinaj u shpreh se kjo masakër vërtetë është dëshmi se liria ka një çmim shumë të madh, dhe që sipas tij, duhet të ruhet nga të gjithë.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe gjithë qytetarët për homazhet, tha se masakra e Izbicës është e njohur në mbarë botën.

“Duke nderuar të rënët, nderojmë vetveten dhe nderojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Lavdi e përjetshme për gjithë ata që ranë, që ne sot të jemi të lirë”, citohet të ketë thënë Jashari.

Tutje, bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj do të marrë pjesë në akademinë përkujtimore në kujtim dhe nderim të viktimave të Izbicës.