Haradinaj: Liberalizimi i vizave çështje javësh

Pikërisht më 18 korrik të vitit 2018, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas një takimi me presidentin, kryetarin e Kuvendit si dhe zëvendëskryeministrat kishte mbajtur një konferencë të përbashkët në të cilin kishte thënë që liberalizimi i vizave do të ndodhte brenda vitit.

Ndërsa i pyetur sot nga gazetari i KALLXO.com se pse nuk ka ndodhur liberalizimi, Haradinaj tha që ky proces tanimë është çështje javësh.

“Mendoj që tani është krejtësisht çështje e javëve, e di se disa po thonë mos po nxitohesh kryeministër, e vërteta është që ne jemi vonu, por është çështje e javëve që ta marrim këtë lajm të merituar, pra na takon ky lajm se i kemi përmbush kriteret”, tha Haradinaj.

Nuk janë të pakta datat kur krerët institucional kanë uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave, një urim të tillë kreu i qeverisë e ka bërë edhe në një konferencë për media në  maj të këtij viti.

“Unë mund me i thanë Kosovës, urime liberalizimi i vizave. Kur ju kam thënë urime ushtria, nuk kanë besu.  Kur thotë ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, ‘Po’ në emër të Qeverisë gjermane. Më nuk ka kurrkush dilema sa i përket Qeverisë së Gjermanisë. Ai ka thanë “PO menjëherë”, ka thënë Haradinaj.