Foto: ZKM

Haradinaj kujton Masakrën e Studimes, familjarëve u premton trajtim ligjor e institucional

Kryeministri Haradinaj ka qëndruar sot në fshatin Studime të Vushtrrisë ku 19 vjet më parë kishte ndodhur njëra ndër masakrat më të mëdha gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve ka thënë se Kosova s’ka çfarë të japë më shumë, pos një pakt të faljes e paqes.

“Një pakt i paqes, i faljes do të ishte më e madhja që kish mundur të bije dakord Kosova. Nuk ka çka jep më Kosova, sepse është dhënë ajo çka ka mundur me u dhanë për me u fitua një e drejtë. E drejta jonë”, tha Haradinaj, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit .

Tutje i pari i Qeverisë shprehu përkushtimin institucional që familjet e dëshmorëve dhe gjithë të rënëve të kenë një trajtim më të mirë ligjor e institucional.

Haradinaj ka folur edhe për propozimin e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke shtuar që Kosova s’mund të jap asgjë për këtë marrëveshje duke shtuar që tashmë ka dhënë shumë jetë njerëzish.

“Po bëhet një pyetje se çka do të japë Kosova për këtë marrëveshje. E vërteta është se Kosova ka dhënë shumë, ja ku është dëshmia. Për këtë Kosovë që kemi sot, janë këto jetë njerëzish, janë këto dhimbje që i kanë familjet dhe ata fëmijë që janë rritur jetimë, ato nëna e motra që me dhimbje të madhe i kanë kaluar këto vjet. Që janë përballur edhe me jetën e vështirë, me mungesën e një vendi të punës dhe shtëpisë, me shqetësimin e fëmijëve të tyre se si kanë me u rritë, por edhe me dhimbjen për më të dashurit e vet”, tha Kryeministri Haradinaj.

Në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë janë vrarë dhe masakruar 116 shqiptarë në vitin 1999.