Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Haradinaj: Kosova pro marrëveshjes me Serbinë në kufijtë ekzistues

Pas takimit me ekipin negociator të Kosovës, zyrtari i lartë i qeverisë britanike, Richard Moore ka takuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook tha se me Moore kanë biseduar për marrëveshjen finale me Serbinë,.

Ai shtoi se Kosova është pro marrëveshjes finale me Serbinë, por pa u prekur kufijtë ekzistues.

“Me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshirë kapitullin e tregtisë së lirë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje tha se në dialog Kosova ka folur me një zë dhë për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve.

“Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, tha Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore pati takime edhe me Delegacionin Shtetëror të Kosovës, ku kërkoi pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

Vizitimi i Moore ishte paraparë të ndodh gjatë ditës së djeshme, por për shkak të kushteve atmosferike është shtyrë për sot.

https://kallxo.com/ahmeti-brukseli-kerkon-nje-qendrim-ndaj-takses/

https://kallxo.com/limaj-te-gjithe-na-kerkojne-pezullimin-e-takses/