Haradinaj: Kosova e angazhuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u takua me Zëvendës ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Stabilitetit dhe Sigurisë, Pete Marocco.

Haradinaj tha se zyrtarin amerikan e njoftoi për veprimet që ka ndërmarrë Qeveria për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm.

Ai tha se Kosova e anëtarësuar në Interpol i shërben luftimit të krimit transnacional.

“ Në këtë drejtim, përkrahja e shteteve mike, veçanërisht ShBA-ve për vendin tonë, është e domosdoshme, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor dhe më gjërë”, shkroi Haradinaj në Facebook.