Nga takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me komandantin e ri të KFOR-it, Lorenzo D’Addario. Foto: Kallxo.com

Haradinaj, komandantit të ri të KFOR-it: Kemi ende nevojë për ndihmën tuaj

“Roli i KFOR-it vazhdon të jetë i nevojshëm në Kosovë dhe ne jemi të përkushtuar si Qeveri që të bashkëpunojmë ngushtë, në të mirë të sigurisë në vend”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë takimit të tij me komandantin e ri të KFOR-it, Lorenzo D’Addario.

Ai po ashtu siguroi se do ta ketë gjithë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të punuar së bashku, duke e bërë Kosovën dhe rajonin një mjedis të qetë dhe të sigurt.

“Ne jemi të hapur që partneritetin tonë ta avancojmë dhe këtë e kemi dëshmuar në të kaluarën dhe do të vazhdojmë angazhimin korrekt si Qeveri për marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me KFOR-in”, ka thënë Haradinaj.

Sipas një komunikate për medie, Haradinaj ka vlerësuar rolin e ushtarëve të KFOR-it, për angazhimin e tyre në  Kosovë ndër vite.

Kurse, komandanti i ri i KFOR-it Lorenzo D’Addario, tha se do të japë kontributin e tij në sigurimin e paqes në vend.

“Jemi këtu që të kontribuojmë për sigurinë e qëndrueshme. Jam mirënjohës për gatishmërinë që keni treguar si kryeministër i vendit dhe jam i hapur për bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët, sigurinë dhe paqen në vend”, ka thënë D’Addario.