Ramush Haradinaj në bazën "Bondsteel" - Foto: Facebook/RamushHaradinaj

Haradinaj: KFOR-i në Ujman ishte për ushtrime ushtarake

Liqeni dhe hidrocentrali i Ujmanit afër Zubin Potokut në veri të Kosovës, që nga 4 gushti deri me 7 gusht, ka qenë nën mbikëqyrje të forcave të KFOR-it.

I pyetur për arsyen e vendosjes së këtyre trupave në këtë lokacion, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se kanë qenë vetëm ushtrime dhe se në fjalorin ushtarak quhet ‘ushtrim i vërejtshëm’ , prandaj edhe nuk ka arsye për shqetësim nga publiku.

“Nga vizitat që kam pasur në Bondsteel kam mësuar shumë. Më ka ardhur shumë mirë për deklarimet e komandantit Nick Vujçiç për serbët e Kosovës që të mos i nënshtrohen presionit. Ajo që e keni parë në Liqenin e Gazivodës dhe në Veri është një ushtrim që quhet ‘i vërejtshëm’, pra një ushtrim me prezencë fizike të KFOR-it, është një aktivitet i zakonshëm i sigurisë. Mund të shohim edhe në të ardhmen, nuk duhet askush të shqetësohet”, tha Haradinaj.

Kryeministri ritheksoi se këto ushtrime të sigurisë që po bëhen kohë pas kohe, nuk e kanë për qëllim destabilizmin e vendit, prandaj edhe qytetarët duhet ta ruajnë qetësinë.

KALLXO.com raportoi dje për tërheqjen e KFOR-it nga zona te liqeni i Ujmanit.

https://kallxo.com/foto-kfor-i-terhiqet-nga-liqeni-i-ujmanit/

Forcat amerikane të KFOR-it ishin vendosur aty të shtunën.

https://kallxo.com/video-patrullimet-e-ushtareve-amerikane-ne-ujman/

Mendohej se ky dislokim ndërlidhej me tensionimin e mundshëm të situatës në veri të vendit, por zyrtarisht u tha që aty ishin në kuadër të një stërvitjeje të programuar më parë.