Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Haradinaj Kërkon Propozime për Mbledhjen e Dy Qeverive

Ramush Haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë u kërkoi ministrave të kabinetit të tij që të propozojnë marrëveshje për takimin me Qeverinë e Shqipërisë.

“11 ministri i kanë dhanë marrëveshjet e veta, presim tjera”, tha Haradinaj.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës është caktuar të mbahet më 27 nëntor.

Edhe zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli kërkoi propozime për marrëveshje.

“Pas dakordimit me Edi Ramën për mbledhjen e dy qeverive në Korçë dhe pas konsultimin me Kryeministrin Haradinaj, u kam dërguar letër njoftuese. Dje kam kërkuar listë nga ministritë tuaja për marrëveshjet qe do t’i nënshkruani me ministrat tuaj homologë”, tha Pacolli.

Ai kërkoi që propozimet të kenë bazë “që të mos dalim qesharakë e me shku veç me u fotografu”.

Haradinaj e ngarkoi zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj me çështje organizative dhe koordinuese për mbledhjen e dy qeverive.

Deri tash qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë janë mbledhur tri herë- në Prizren, Tiranë dhe Prishtinë, ndërsa një mbledhje e paraparë në prillin e këtij viti në Vlorë ishte shtyrë.