Ramush Haradinaj

Haradinaj kërkon garancë për njohje para pezullimit të taksës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe një herë është deklaruar për vazhdimin e procesit të dialogut si dhe mundësinë e heqjes së taksës 100 për qind  produktet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Haradinaj ka thënë që vendosja e taksës nuk ka për qëllim pengimin e procesit të dialogut me Serbinë, mirëpo sipas tij kjo taksë largohet vetëm nëse garantohet se dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke.

“Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj poashtu ka thënë që deri më tani ka vetëm takime të paftytshme dhe sygjerime dhe për këtë arsye taksa do të vazhdoj të mbetet në fuqi.

“Përderisa kemi vetëm sygjerime për takime dialoguese të pafrytshme, pa objektiv dhe pa afate qartë të përcaktuara, pa kontratë të paradakorduar dhe garancë ndërkombëtare, që do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare që rezulton me njohje, taksa vazhdon të mbetet në fuqi”, ka shkruar tutje kryeministri.

Haradinaj poashtu ka bërë të ditur që është dorëzuar draftin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente” ka shkruar ai.

Megjithatë në disa deklarime të ditëve të fundit, Haradinaj kishte deklaruar se taksa mund të hiqet vetëm pas njohjes nga Serbia.

https://kallxo.com/ramush-haradinaj-taksa-do-te-mbetet-aq-gjate-sa-te-mos-ndodhe-njohja-e-kosoves-nga-serbia/