Foto: ZKM

Haradinaj: Kemi nevojë për më shumë njohje

Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka nevojë për më shumë njohje të reja të vendeve të botës.

Ai madje shtoi se Kosova pavarësisht që është vend i vogël është shembull për bashkëpunimin e komuniteteve.

Këto deklarata Haradinaj i bëri në Ekspozitën e Artizanaleve nga Shajaku, organizuar nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren.

“Kosova është shembull i bashkëpunimit të komuniteteve dhe ju mund të llogaritni në miqësinë tonë me Turqinë. Populli i Kosovës është falënderues për përkrahjen e Republikës së Turqisë dhënë Kosovës. Jemi një vend i vogël me shumë sfida, që synojmë anëtarësimin në Evropë dhe NATO, dhe nuk është e lehtë për një vend të vogël si Kosova. Kemi nevojë për më shumë njohje të vendeve të botës, por gjithë e dimë se Kosova nuk e harron ndihmën, përkrahjen dhe respektin që na bëhet”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, në shenjë mirënjohje kryetares së organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, i ka dhuruar librin “Kosova”, në të cilën është e përmbledhur e gjithë pasuria e Kosovës.

Kryetarja e organizatës së grave “Orkide”, Sevgi Kervan, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë.

Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar dhe deputeti Fikrim Damka.