Takimi i Ramush Haradinajt me zëvendësministrat (Arkiv) | Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Jepuni punë zv.ministrave

Kryeministri Ramush Haradinaj u kërkoi sot ministrave që t’u japin punë zëvendësve të tyre.

Haradinaj në mbledhjen e sotme të qeverisë raportoi për punën e zëvendësministrave.

“Kam mbajtë një takim me zëvendës-ministrat, shumica kanë dëshmu një shkallë të kujdesit në punë, kanë pru raporte, raportet ku i kanë tregu aktivitetet e tyre, takimet”, tha Haradinaj.

Ai tha se u ka kërkuar zëvendësministrave që në takimin e ardhshëm të tregojnë efektet e punëve të kryera.

“Iu kam kërkuar që në raportin e ardhshëm me kallxu efektin e këtyre punëve. Një lutje e kam për ministrat, koordinoni punët javore me zëvendës-ministrat, nëse jo ditore të paktën javore”, tha Haradinaj.

Ai arsyetoi numrin e madh të zëvendësministrave.

“Jam i bindur, që edhe pse janë 74, prapëseprapë, arsyeshmëria mund të argumentohet nëse këtyre u nxirret punë, jepjuni punë”, tha Haradinaj.

Dje në mëngjes kryeministri mbajti takim me zëvendësministrat.

http://kallxo.com/qeveria-gjigande-e-haradinajt-ne-fotografi/

Edhe në shkurt Haradinaj ishte takuar me ta, duke u kërkuar që të bëjnë raporte për punën e tyre.

http://kallxo.com/haradinaj-u-kerkon-pune-konkrete-zv-ministrave/

Edhe pse është takuar nganjëherë me ta, Ramush Haradinaj shpesh nuk i ka njohur me emrat zëvendësministrat e shumtë të kabinetit.