Ramush Haradinaj pas votimit | Foto: KALLXO.com

Haradinaj ia Përmend Deputetes ‘Vallëzimin Para Gadafit’

Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur kritikave të deputetes Mimoza Kusari-Lil me një fjalor goxha të rëndë.

Pas deklaratës së deputetes në seancën e Kuvendit se për Haradinajn dhe ministrat e tij qeverisja është sport i rëndë, shefi i Qeverisë u përgjigj: Fillimisht duhet me këqyrë kush po e thotë: një zëvendëskryeministre, një ministre e Tregtisë që s’mbahet mend për kurrgjë të mirë. Një kryetare e Komunës që 3 muaj para se me u kry zgjedhjet e ka lënë punën për një post si deputete.

Haradinaj nuk u ndal me kaq ndaj kritikave të deputetes Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte cituar një postim të tij të muajit maj të këtij viti: “Jemi vetëm para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Brenda tre muajsh qeveria jonë do të sigurojë lëvizje të lirë. Edhe sot e përsëris këtë premtim që brenda 90 ditëve qytetarët tanë do të lëvizin pa viza”, citoi deputetja kryeministrin.

“Sipas kësaj, edhe dy ditë qytetarët munden me i palu koferat e me u nisë me udhëtu pa viza”, tha Mimoza Kusari-Lila, e cila për programin qeverisës 2017-2021 tha se nuk është program por “një punim i dobët seminarik”.

Pasi tha se kur të vijnë materialet e 100 ditëshit do të çuditen sa shumë punë po kryen kjo Qeveri, Haradinaj tha: “Nuk di me kcy unë para Gadafit, por di substancë”.

“E keni ulë gjuhën, dinjitetin e nivelin. Mungesa e juaj me mbajtë raporte normale e sjell vendin që ti paradite tregon muskuj, e pasdite kërcënime e marrëdhënie përkrah një deputeteje. Nëse ky është niveli juaj, kjo është për keqardhje. Jeni për keqardhje”, tha Kusari-Lila.

E Haradinaj nuk u ndal. “E kam prishë gjuhën për aftësitë tua të vallëzimit para Gadafit. Në vallëzim atë kualitet nuk e kam. Nuk di me vallëzu ashtu”, tha ai.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e Kuvendit.