Haradinaj i shkruan letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

Në 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kryeministri Ramush Haradinaj i ka shkruar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg.

“Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Haradinaj ka shtuar se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.

“Në emrin tim dhe në emër të qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, po  ju shkruaj për të shprehur mirënjohje të thellë për NATO-n për një veprim, që ka shpëtuar kaq shumë jetë”, thuhet në letrën e Haradinajt.

Letra e kryeministrit Ramush Haradinaj