Ramush Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Haradinaj i prerë: Presidenti duhet ta udhëheqë dialogun

Pavarësisht se opozita po e kundërshton presidentin, Hashim Thaçi, që ta udhëheq dialogun me Serbinë dhe kërkesës së tyre që dialogun ta udhëheq Qeveria, kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se kryenegociator duhet të jetë presidenti Thaçi.

“Kërkojë unitet në këtë proces dhe të jetë e përfshirë edhe opozita”, tha ai.

I pari i Qeverisë i është përgjigjur edhe kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç, e cila ka deklaruar gjatë ditës së, nëse Evropianet e miratojnë kërkesën e Qeverisë së Kosovës që në procesin e dialogut të përfshihet SHBA-ja, ajo do të kërkojë nga kundërshtarët më të fuqishme të pavarësisë së Kosovës Kina dhe Rusia të përfshihen në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Haradinaj tha se Kina dhe Rusia kanë hequr dorë më herët nga ky proces.

“Kina dhe Rusia kanë hequr dorë nga Ballkani”.

Përfaqësuesit politik janë në përpjekje të krijimit të ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, por, ende nuk është gjetur konsensusi se si do të paraqitet Kosova në takimin e radhës, i cili pritet të mbahet në Bruksel.

Ndërsa, shoqëria civile ka kërkuar nga opozita të jetë e përfshirë në dialog, duke mos e lidhur kundërshtimin e tyre vetëm me presidentin Thaçi.