Konferencë për media pas takimit në Berlin, 07.06.2019

Haradinaj flet për monopolin në homologim të automjeteve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë ka folur edhe për udhëzimin administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab”.

I pyetur për konstatimet e Autoriteti Kosovar të Konkurrencës se ky udhëzim administrativ bie ndesh me Ligjin për Konkurrencë, Haradinaj ka thënë që ky nuk është institucion që përcakton ligjshmërinë.

“Autoriteti i Konkurrencës nuk është autoritet që e përcakton ligjshmërinë, shembull ligjshmërinë e ndonjë udhëzimi të tillë, janë institucione të tjera që e njohin ligjin ose kontekstet administrative. Mundet me qenë gjykata, Gjykata Kushtetuese, mundet me qenë një institucion tjetër pra nuk mjafton për të ligjshmëri, sa i përket konkurrencës kanë të drejtë”, tha Haradinaj.

Sipas tij ky vendim është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe për këtë pritet reflektimi nga ta.

“Ky vendim është në diskrecion të Ministrisë, pra ne mundemi me e pyet Ministrinë si është e rregulluar kjo dhe si duhet të zgjidhet më tutje, mirëpo edhe presim reflektimin e Ministrisë si do t’i qaset kësaj teme”, tha tutje ai.

Haradinaj tha që vetëm nëse vendimi vjen në Qeveri atëherë mund të japin mendimin e tyre.

“Edhe te vendimi, nuk është detyrë e kryetarit të Qeverisë dhe i Qeverisë, jo për me i ik përgjegjësisë, mund të kthehet vendim nëse vjen në Qeveri, por njëherë për njëherë është kompetencë e Ministrisë. Nëse hapet kjo temë në Qeveri, atëherë kyqet edhe kryetari i Qeverisë”, theksoi ai.

Sipas tij edhe kjo është një nga temat e shumta që Qeveria e tij i ka trashëguar nga qeveritë e kaluara.

“Kjo është një gjendje e trashëguar dhe nuk e kam kriju as unë e as ministri Leka. Në tavolinë të kësaj teme po vijnë tema që askush s’i ka prekur”, tha ai.

Mirëpo neni 2 i Ligjit për Mbrojte të Konkurrencës e thotë qartë që ky Ligj zbatohet për të parandaluar keqpërdorimin e konkurrencës në gjithë territorin e Kosovës.

“Ky ligj zbatohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet, në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit të Kosovës, nëse këto veprime kanë efekte në Kosovë”, thuhet në nenin 2 të Ligjit për Mbrojte të Konkurrencës.

Kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën kaluar ka deklaruar se nëse udhëzimi administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës që rrezikon t’ia vazhdojë kontratën për homologimin e automjeteve kompanisë “EuroLab” bie ndesh me ligjin, ajo do të anulohet menjëherë.