Flamuri te produktet në market- Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Flamujt për origjinën e produkteve në dyqane, stërngarkesë për sipërmarrësit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala me 26 dhjetor të vitit 2018 kishte nënshkruar udhëzimin administrativ që detyron dyqanet në Kosovë të vendosin flamuj nëpër rafte, përfshirë edhe atë të Kosovës, për të treguar origjinën e produkteve.

Vendimi i ministrit Shala kishte hyrë në fuqi më 29 dhjetor.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se nuk mund të ketë një qëndrim rreth kësaj çështjeje, por vlerësoi se ky vendim përbën një stërngarkesë për kompanitë dhe sipërmarrësit.

Sipas shefit të Qeverisë, kjo i stërngarkon kompanitë dhe sipërmarrësit. Edhe pse sipas tij ky nuk është qëndrim zyrtar i tij, pasi në këtë rast do të shkelte ligjin.

“U fol kjo çështja e flamujve me e qitë te produktet. Ajo është bukur ngarkesë për sipërmarrësit tonë. Për bindjen time e kuptoj arsyen pse me qitë flamurin e Kosovës në një prodhim të Kosovës, por është stërngarkesë me ju detyru juve për çdo produkt një flamur. Atëherë bëhet si me qenë ekspozitë e flamujve. Është pak e tepërt ashtu. Por është ligjore dhe unë nuk mund të mbaj qëndrim tash sepse e shkel ligjin”, ka thënë Haradinaj gjatë vizitës së tij në Odën Ekonomike Amerikane.

Sipas Haradinajt duhet të iniciohet një debat në Parlament që të vendoset për këtë çështje.

“Me siguri hapet debat në Parlament që dikush është për t’i lënë këta flamuj, e dikush është kundër. Kush është kundër e shpjegon pse është kundër. Ndoshta ka zgjidhje më racionale”, ka deklaruar Haradinaj.