Haradinaj: Evropa ia ka borxh liberalizimin e vizave Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Evropa është në borxh ndaj Kosovës për shkak të liberalizimit të vizave.

Haradinaj u shpreh se në Samitin e Berlinit nuk do të bisedojnë për kufijtë e Kosovës, por ai thotë se do t’ua rikujtojë se Evropa është në borxh me Kosovën.

“Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë i një tryeze të përbashkët me gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor, e kemi perspektiven evropiane. Për mu ka shumë rendësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës që është liberalizimi i vizave që se kanë marrë ende vendimin, e aty janë udhëheqësit kryesor të Evropës, pra kancelarja Merkel dhe presidenti Macron. Shpresoj që ta kem mundësinë  t’ua rikujtojë që Evropa është në borxh ndaj Kosovës për këtë temë. Nuk mendoj që do të ndodhë dialog apo negocim mes Kosovës dhe Serbisë, as për kufijtë as për Zajednicë është pak tepër ajo që po thuhet në këto rrethana”, u shpreh Haradinaj.

I pari i ekzekutivit këto deklarata i bëri në një konferencë për media pas bëri homazhe për nder të Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, në varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te përmendorja e Zahir Pajazitit.

Haradinaj bashkë më presidentin Thaçi do të marrin pjesë më 29 prill në Berlin në takim me udhëheqësit shtetërorë të Ballkanit, takimi ky i organizuar nga Merkel dhe Macron.