Haradinaj Devijon Rrugën e Kthimit

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka arritur të kthehet në Kosovë pas takimeve që kishte në konferencën e BERZh-it në Londër.

Fluturimi W67792 WizzAir është anuluar shkaku i kushteve klimatike.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për KALLXO.com se janë duke bërë përpjekje për të fluturuar drejt Prishtinës.

“Jemi duke bërë përpjekje edhe njëherë për të fluturuar për Prishtinë. Pasi të kemi lajme të reja do ju njoftojmë”, tha Gashi.

Edhe në ueb-faqen e Aeroportit të Prishtinës është dhënë njoftimi për anulimin e fluturimit  W67792 WizzAir.

Aktualisht, kryeministri Haradinaj me bashkëpunëtorët gjendet në aeroportin e Sofjes, në Bullgari.

Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se fluturimi nga Londra që ishte divertuar në Sofje pritet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” rreth orës 23:30.