Konferenca për bujqësi të qëndrueshme - Foto: ZKM

Haradinaj: Bujqësia Është e Rëndësishme dhe Meriton Vëmendje

Kryeministri i Kosovës tha se Qeveria do t’i kushtojë vëmendje bujqësisë dhe vitin që vjen do të punojë për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori, duke vlerësuar lartë resurset edhe të pylltarisë së Kosovës.

Këto komente, shefi i Qeverisë i bëri në konferencën për bujqësi të qëndrueshme, pylltari dhe zhvillim rural në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Është e rëndësishme që përkrahja, grantet dhe subvencionet të mbërrijnë te ata që i meritojnë, te ata që u takojnë. Në të kaluarën kanë ndodhë edhe keqpërdorime në ndarjen e granteve dhe subvencioneve. Grantet dhe subvencionet janë paratë e taksapaguesve, donatorëve dhe ato duhet të shkojnë te ata që i meritojnë”, tha kryeministri, duke premtuar se nuk do të lejohen më gabime e lëshime të tilla.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Kosova nuk e ka të lehtë hapjen e vendeve të punës, por bujqësia mund ta ndihmojë. “Vendet e punës vijnë si kërkesa nga tregu, andaj të konsumohen prodhimet vendore, ngaqë kjo shpie te stimulimi i prodhuesve vendorë dhe kështu edhe deri te hapja e vendeve të punës”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, ka prezantuar arritjet e deritashme në zhvillimin e bujqësisë dhe prioritetet në të ardhmen.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe përfaqësues të BE-së dhe USAID-it, të cilët njëkohësisht janë edhe donatorët kryesor në sektorin e bujqësisë.