Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj bisedon me telefon me shefin e NATO-s për FSK-në

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi që ky I fundit gjatë ditës së djeshme deklaroi se Prishtina zyrtare se do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka bërë të ditur se gjatë kësaj bisede e ka njoftuar Stoltenbergun se Kosova është e përkushtuar që të bëjë transformimin e ushtrisë.

“Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore”, ka shkruar Haradinaj.

Ai po ashtu ka thënë se FSK-ja do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

“Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat”, ka shkruar Haradinaj.

https://kallxo.com/nato-ia-terheq-verejtjen-kosoves-per-ushtrine/