Ramush Haradinaj e Bedri Hamza pas takimit. Foto: Kallxo.com

Haradinaj: Bedri Hamza mundet me kallxu burrni, por duhet ta respektojë vendimin e Kushtetueses

Kryeministri Ramush Haradinaj në koferecnën për media ka folur edhe për lajmin se ministri Hamza ka refuzuar të marrë pagën, sipas tij, ai mundet me kallxu “burrni” me këtë, mirëpo ai duhet të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Me kallxu burrninë me mos marrje të pagës, mundem edhe unë. Unë jam në atë mundësi mos me marrë pagën, por Ministri i Financave ka deklaru se do të respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse do me qenë burrë i mirë z.Hamza, le ta përshpejtoj ligjin për nivelizim të pagave. Qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha tutje Haradinaj.

Ai gjithashtu ka folur dhe për deklarimin e Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova që kërkoi të tërhiqet vendimi për ngritje të pagave.

Sipas Haradinajt, vlerësimi i BE-së për pagat është me rëndësi, mirëpo kjo nuk mund të kthehet sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tani është e pashmangshme që ne të improvizojmë, ajo do të mbetet. Mirëpo është një vendim i përkohshëm, sepse pastaj do të pasoj ligji për nivelizimin e pagave që do t’i inkorporoj të gjithë të paguarit prej publikut”, tha tutje Haradinaj në konferencën e sotme.