Akademia përkujtimore për Armend Dacin - Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Arian Daci ishte një zyrtar i zellshëm

Zyrtar të zellshëm e ka cilësuar kryeministri Ramush Haradinaj zëvendësministrin e ndjerë të Diasporës, Arian Dacin.

Në akademinë përkujtimore, të organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, janë thurur fjalë të mira për Arian Dacin, i cili vdiq dje pasi e zuri një ortek bore në Brezovicë ku kishte shkuar për skijim.

Në fjalën e rastit, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e tij ka humbur një zyrtar të zellshëm.

“Qeveria e ka humbur një zyrtar të zellshëm. Njerëzit si Arian Daci mbahen mend gjatë, jo për zhurmë por për qetësi. Shpirti i bardhë i Arianit u nda nga ne në bardhësinë e borës. I bardhë ishte dhe si të tillë do ta mbajmë mend përjetë. E kisha takuar dhe më kishte lënë mbresën e një njeriu të qetë dhe të urtë. Ne jemi përjetësisht mirënjohës”, tha kryeministri.

Ndërsa, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës, Dardan Gashi, vlerësoi lart kontributin e zëvendësit të tij në ministri.

“Ky është pa dyshim fjalimi më i rëndë i karrierës sime. Nuk ka fjalë ta përshkruajmë dhimbjen qe po e kalojmë. Ne ndajmë dhimbjen me më të dashurit e tij. Ai ka qenë dorë e djathtë në ministri por edhe mik me të cilin i kam nda hallet e dertet private. Lamtumirë i dashur Arian”, u shpreh Gashi.

Për vdekjen e Arian Dacit, foli edhe motra e tij Edi Daci – Prapashtica.

“Më lejoni që në emër të familjes dhe të vëllait tim të ju falënderojmë për përkrahjen, prezencën dhe ngushëllimet”, tha ajo.

Në mbledhje komemorative mbajti fjalim edhe Edmond Ademi, ministër i Diasporës i Maqedonisë së Veriut.

“Në këto raste është vështirë njeriu t’i ndajë fjalët e duhura. Më lejoni t’i shpreh ngushëllimet e mia dhe të gjithë Qeverisë së Maqedonisë për këtë humbje. Qasja e tij dashamirëse ishte e dukshme edhe në urat e bashkëpunimit mes vendeve. Humbja është e madhe për të, por kujtimi i paharrueshëm”, tha Ademi.

Ndërsa,   Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, i cili ish-bashkëpunëtor i Arian Dacit, tha se ka marr këshilla nga Daci se si të skijonte.

“Unë jam këtu të flas më emër të odës por më shumë si shok i tij. Kemi ndarë shumë momente së bashku që nga gjimnazi. Ai ka shprehur përkrahjen e tij edhe si zëvendësministër dhe si farmacist. E kisha edhe mentor të skijimit, më tregonte se si duhej të sillej njeriu me natyrën e borën, përfshirë edhe rrezikun nga orteqet”, tha ai.

Arian Daci, i cili është djali i vetëm i kryetarit të Akademisë së Shkencave, ka vdekur pasditen e djeshme në Brezovicë si pasojë e goditjes nga një ortek i borës.