Haradinaj: Ajo Që Po Bën PDK-ja Është Kriminale

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeverisja e PDK-së me 36 deputetë dhe operimi në këtë mënyrë me buxhetin, është kriminale.

“Ajo çka bënë sot PDK është kriminale. Qeverisja në këtë mënyrë, operimi me buxhet në emër të 36 deputetëve është akt kriminal”, tha Haradinaj.

Ai i bëri këto komente pas takimit që liderët e Bllokut kanë pasur me partitë minoritare, përfshirë edhe Listën Serbe.

Për më tepër, ai tha  se edhe minoritetet e kanë shqetësimin e njëjtë – që të mos shkohet sërish në zgjedhje, por të gjendet zgjidhje.

“Qëndrimet e tyre përputhem me tonin, që nuk donë të shkojnë prapë në zgjedhje  që është shumë i rëndësishëm për ta dhe që nuk donë që kjo punë të zhagitet më tej. Janë të interesuar m’i dhanë përkrahje zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit”, tha Haradinaj.

Mahir Yagcilar nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, e konfirmoi atë që e tha Haradinaj, se nuk janë për zgjedhje.

 

“Është një konstatim edhe nga ana e deputetëve të komuniteteve se opsioni i zgjedhjeve nuk është i pranueshëm”, tha Yagcilar.