Hapet qendra e dytë për pensionistë në Prishtinë

Në komunën e Prishtinës është hapur qendra e dytë për pensionistë, nga katër gjithsej sa do të hapen deri në fund të vitit.

Në hapjen e kësaj qendre ishte i pranishëm kryetari Shpend Ahmeti dhe drejtori i Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, Dren Kukaj.

Ahmeti ka paralajmëruar se deri në fund të muajit maj do të hapet edhe qendra e tretë në lagjen “Pejton”, ndërsa deri në fund të vitit edhe qendra e katërt.

“Kjo është qendra e dytë për pensionistë që po e hapim në komunën e Prishtinës, në këtë shtet ku pak bëhet për pensionistët. Këto qendra për neve kanë qenë ide qysh me i bo bashkëqytetarët tonë të mirëseardhur në hapësirat publike të komunës që munden me i shfrytëzu për çaj, kafe, shah, thjeshtë me nejt, me lexu gazeta, punë dore, thjeshtë një vendtakim që njerëzit mos të kalojnë kohë ndoshta me kafe ma të shtrenjta”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se javën e ardhshme do të hapet edhe kuzhina statike, që do të funksionojë nga ora 6 e mbrëmjes, ku do të ofrohet ushqim falas për njerëzit që kanë nevojë.

Ndërsa drejtori i Mirëqenies Social, Dren Kukaj ka falënderuar kompanitë që kanë dhënë donacione për hapjen e kësaj qendre, ndërsa edhe ai ka premtuar që deri në fund të këtij viti do të hapen edhe dy qendra të tjera të tilla në kryeqytet.