Hapet ekspozita me portretet e Adem Demaçit

Dhjetëra portrete të Adem Demaçit janë ekspozuar sot në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Ekspozita është organizuar nga  Zyra Kryeministrit dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, dhe shënon fillimin aktiviteteve që do të mbahen për shënimin e njëvjetorit të vdekjes së Adem Demaçit.

Njëkohësisht, ekspozita do t’u mundësojë skulptorëve që të kenë mundësi  që të kenë një vizion rreth figurës së Demaçit, pasi konkursi për shtatoren e tij do të jetë i hapur deri më 17 korrik të këtij viti.

Selatin Novosella nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka thënë se aktivitetet për shënimin e këtij përvjetori do të kulmojnë me vënien e gurit të themelit të shtatores së Demaçit në sheshin që tashmë do të mbajë emrin e tij, përballë Shkollës së Mjekësisë.

Sipas Novosellës, sheshi “Adem Demaçi” do të jetë një shesh unikat, në një hapësirë të madhe në hyrje të Prishtinës, në mes të tri rrethrrotullimeve, si dhe me prezantimin kolanës së veprave për Demaçin që do të bëhet më 26 korrik 2019, kur edhe qeveria prezanton projektin  për këtë përvjetor.

“Gjithsesi pika kulmore e aktiviteteve do të jetë më 26 korrik 2019 kur edhe do të bëhet vendosja e gurit themeltar ku do të vendoset shtatorja e Demaçit. Shtatorja e Demaçit do të vendoset më 28 nëntor 2019”, ka thënë ai.

Ndërsa Jahja Lluka, nga kabinetit i kryeministri Haradinaj, ka pohuar se ekspozita është hapur për artistë të cilët planifikojnë të jenë jenë pjesë e konkursit për shtatoren e Demaçit.

“Kjo ekspozitë është më tepër për artistët që të kenë përafërsisht një parafytyrim apo një pasqyrë për figurën e Demaçit, pasi duhet thënë hapur se në shumë qendra të Kosovës shumë shtatore pak u ngjajnë personaliteteve të cilave u dedikohen”, ka thënë Lluka.

Sipas tij, Qeveria është kujdesur që shtatorja e ardhshme e Adem Demaçit të jetë sipas kritereve artistike, sepse sipas tij, nuk do të ishte në nderin e Adem Demaçit e as të Qeverisë që shtatorja të përzgjidhet shkel e shko.

Lluka bëri të ditur se konkursi për shtatoren e Demaçit do të jetë i hapur deri më 17 korrik 2019 dhe për përzgjedhjen saj do të formohet një komision.