Hapen shitoret në veri të Kosovës

Dy ditë pasi kishin qëndruar nën dry, shitoret e serbëve në komunat veriore të Kosovës janë hapur sërish të mërkurën në mëngjes.

Ato ishin mbyllur si pjesë e një proteste të serbëve ndaj vendosjes së taksës doganore 100 përqind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në fund të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës e ka akuzuar qeverinë e Serbisë se qëndron prapa kësaj fushate të mbylljes së shitoreve si pjesë e një ‘propagande’ për ta inskenuar një ‘krizë humanitare’ për serbët në veri.

RTS raporton se afaristët në veri kanë apeluar te bashkësia ndërkombëtare që “ta kuptojnë situatën dramatike dhe të reagojnë”.

Kryetari i shoqatës së afaristëve në veri, Radosh Petroviq, ka thënë se është arritur një marrëveshje që shitoret, barnatoret dhe objektet hoteliere të cilat kishin qenë të mbyllura në dy ditët e fundit, të fillojnë të punojnë.