Kadri Veseli, Besim Beqaj e Bedri Hamza - Foto: KALLXO.com

Hamza: Sektori privat, e ardhmja ekonomike e vendit

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka mbajtur takim publik me përfaqësuesit e bizneseve dhe odave ekonomike të Kosovës, për t’i informuar për punën në lidhje me ndryshimet e politikave fiskale, për iniciativat e reja të ministrisë, si dhe për dëgjimin e kërkesave të bizneseve të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet në të ardhmen.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministri i Ministrisë së Inovacionit, Besim Beqaj.

Ministri Hamza tha se sektori privat është perspektiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe se Ministria e Financave me kalimin e ligjit për TVSH-në në Kuvend do të thjeshtësohen procedurat edhe më shumë për bizneset private.

“Ne duhet t’i ruajmë ekuilibrat në mes të krijimit të ambientit të mirë për biznes dhe ruajtjes së atij top prioriteti që është stabiliteti makrofiskal”, tha Hamza.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se ekonomia e Kosovës rritet me partneritetin në mes të Qeverisë dhe bizneseve private.

“Për aq sa i kemi ekonominë e fortë, për aq sa i kemi bizneset e zhvilluara, prodhimin e fortë, eksportin e fuqishëm për aq sa kemi të hyra buxhetore të fuqishme ne mund të bartim një mesazh edhe të sovranitetit anë e kënd territorit”, tha Veseli.

Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, tha se nevojitet bashkëpunim institucional së bashku me bizneset për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe donatorëve.

“Ajo çka unë besoj është e ardhmja për të krijuar vende pune, dhe e ardhmja për të krijuar vende pune është duke ndryshuar orientimet anë e mbanë botës”, tha Beqaj.