Hamza për 53 milionëshin e Bechtel Enca-s: “Nëse është hangër pitja, tepsia ka mbetë”

Ministri i Financave të Kosovës pati një koment interesant lidhur me çështjen e pagesës së borxhit 53 milionësh ndaj kompanisë ‘Bechtel Enca’, për autostradën ‘Arbën Xhaferi.

Në qershor të vitit të kaluar, qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për ndarjen e 53 milionë eurove për këtë kompani.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë se “për shkak të dështimit të Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat, konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguajmë 63 milionë euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte, ndërsa pas diskutimeve shifra është ulur në 53 milionë.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se problem me këtë autostradë është i shkaktuar nga qeveria e kaluar.

“Ky borxh nuk është paguar ende. Flej shumë rahat për të gjitha punët që i kam bë. Nëqoftëse është hangër pitja, tepsia është mbetë. Problemi me autostradën është problem i krijuar prej qeverisë paraprake. Është ditë që kontrata është tri vjet dhe është ditur që ose duhet të ketë marrëveshje të re për ndryshimin e asaj kontrate ose është deshur me financu atë kontratë. As nuk ka ndodhur marrëveshja e re, as financimi adekuat”, tha Hamza.

Ai shtoi se në një prej situatave ku është dashur të nënshkruhet në lidhje me këtë borxh, kishte qenë zëvendësministri i tij ai që e kishte bërë këtë.

“Minsitria e Financave nuk e zbaton këtë kontratë. Unë nuk jam unë ai që mundem me thanë se janë shumë ose janë pak. Unë nuk marr pjesë në asnjë komitet ndërministror se ka zëvendësministra, edhe ata duhet me punu, është kërkuar që duhet me iu delegu punë dhe unë i kam deleguar punë”, tha Hamza.

Hamza ka bërë me dije se borxhi për kompaninë ‘Bechtel Enca’, nuk është paguar ende.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)