Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Kallxo.com

Haki Rugova ende pa avokat, nuk paraqitet në gjykatë

Kryetari i Istogut, Haki Rugova, nuk është paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Pejës, në seancën e shqyrtimit fillestar në të cilin akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për veprën penale  të konfliktit të interesit.

Seanca fillestare e gjykimit të kryetarit të Istogut sot nuk është mbajtur në Gjykatën Themelore të Pejës për shkak të mungesës së Haki Rugovës.

Gjyqtari i rastit, Sylë Lokaj, tha për KALLXO.com se në mungesë të akuzuarit seanca është shtyrë për 21 maj.

Gjyqtari Lokaj po ashtu bëri të ditur për KALLXO.com, se i akuzuari përmes një shkrese kishte kërkuar që seanca të shtyhet derisa të angazhojë avokat.

KALLXO.com kishte raportuar në janar të këtij viti se Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj Haki Rugovës bazuar në kallëzimin penal të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në kallëzimin penal të kësaj Agjencie shpjegohej për dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.

“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhej në kallëzim.

http://kallxo.com/pas-raportimit-te-drejtesia-ne-kosove-nisin-hetimet-ndaj-kryetarit-te-istogut/

Aty tregohet se tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës, vëllait të Haki Rugovës, në vlerë prej 289,119.85 euro, kështu duke mundësuar interes financiar për të [Haki Rugovën] dhe personin juridik që ka të bëjë me të”.

Sipas kallëzimit të Agjencisë Kundër Korrupsion informacionet kjo Agjenci i kishte marrë nga BIRN dhe Interneës Kosova pasi që ky rast ishte raportuar në platformën për raportim të korrupsionit KALLXO.com.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ kundër Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale: konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të agjencisë.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës por ajo është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Prokuroria e Pejës për të qenë një hetim i pavarur me arsyetimin se prokurori i rastit në Pejë, Haxhi Sinani njihet personalisht me të dyshuarin dhe është në raporte shoqërore me të njëjtin.

“Drejtësia në Kosovë”, kishte raportuar ekskluzivisht për këtë rast në maj të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/hulumtim-komuna-e-familjes-rugova/