Hajdari: Gjykata i ka refuzuar email-et si prova te rasti i Enver Hasanit

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ ka folur edhe për rastin gjyqësor ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, në të cilin ky i fundit qe shpallur i pafajshëm.

Ajo tha se kishte siguruar të gjitha email-et si prova nga Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare – ISN dhe se ato kanë pasur të bëjnë me përkthimin e librave në UP.

Sipas saj, Rakipi ia ka dërguar këto asaj pasi Hakif Veliu si ish-shef i prokurimit në UP kishte deklaruar se kontrata e dërguar nga ISN është e falsifikuar.

“Pas kësaj deklarate Rakipi m’i dërgon mua dëshmitë, kontratën me UP-në dhe email-et. Email-i i parë ka qenë, ku zëvendësdrejtori i institutit i dërgon email Enver Hasanit për kriteret, pastaj Hakifi i shkruan atyre që thotë se unë bisedova me rektorin me bisedu me ju për këtë çështje dhe ne jemi dakordu që në vend të njësisë matëse – fjala të jetë njësia matëse – karakteri (shkronja)”, ka sqaruar ajo.

Hajdari po ashtu tha se këto email-e nuk janë pranuar nga gjykata si prova.

“Sa u përket këtyre email-eve unë kam zhvillu luftë në gjykatore për arsye se gjykata e shkallës së parë i arsyetoi këto prova me arsyetim se kemi të bëjmë me prova që është dashtë me i siguru përmes masave të fshehta andaj janë prova të papranueshme. Unë kam thënë kur një person vullnetarisht dorëzon email-et e veta pse me apliku masa të fshehta”, tha ajo.

Ajo tha se nuk ka pasur asnjë fshehtësi sepse këto i ka bartur prej Shqipërisë në Kosovë.

“Këto email-e kanë udhëtu nga Shqipëria në Kosovë përmes Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka pasur kurrfarë shpejtësie me kërku masa të fshehta për diçka që tash veç shumë njerëz kishin njohuri për ekzistimin  e tyre”, tha ajo.

Ajo po ashtu shtoi se është duke u munduar që të gjejë zgjidhje tjetër rreth kësaj çështjeje.

Emisionin e plotë të ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e më poshtëm: