Johannes Hahn

Hahn: Kosova ta heqë taksën doganore ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka përsëritur kërkesën drejtuar qeverisë së Kosovës për ta larguar taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Nga Brukseli ku po bënte publike raportet vjetore të Komisionit Europian për vendet e rajonit, aspirantë për integrim në BE, Hahn tha se taksa e Kosovës duhet të hiqet për ta zhbllokuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë qëllim, ai ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë muajin e ardhshëm.

“Kosova duhet të fokusohet ne marrëveshjen e MSA-së dhe duhet ta heqë taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe ta vazhdojë dialogun. Në qershor do të bëj përpjekje për këto dy vende, duke i vizituar, ta zhbllokojnë këtë situatë për të dyja vendet që po e bllokon edhe rajonin”, tha Hahn.

Hahn ka kërkuar edhe nga serbia që të punojë në arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën.

Ai ka bërë publike rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shqipëria në veçanti ka ndjekur një transformim kryesor të sistemit të drejtësisë, përfshirë edhe një vlerësim të paprecedentë të gjyqtarëve. Vettingu është fundamental për luftimin e korrupsionit”, tha ai.