Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Grupi parlamentar i PDK-së dënon ashpër rastin e së miturës në Drenas

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica në emër të grupit të tij parlamentar tha se e dënojnë ashpër rastin e abuzimit seksual të së miturës nga qyteti i Drenasit.

“Në emër të GP mendoja që duhet të fliste dikush nga gratë tona dhe Flora Brovina më tha se ju burrat duhet të dilni dhe t’i mbroni të drejtat e  grave dhe vajzave. Për këtë arsye vendosa të dal dhe të flas në emër të grupit”, tha deputeti.

Sipas Reçicës, rasti në Drenas është një ngjarje e rëndë, por është edhe një situatë shumë e rëndë.

“Ky rast ka shkaktuar hidhërim dhe tronditje të madhe në tërë opinionin. Institucionet gjegjëse të ndërmarrin të gjitha dënimet e duhura”, shtoi deputeti duke kërkuar që sa më shpejt të miratohet Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijës.

Kuvendi po zhvillon debat parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.