Grupi në Facebook Kërkon Flamurin e Kosovës te Rrethi Kryesor në Prishtinë

Aty ku prej vitesh është i vendosur flamuri kombëtar, te Rrethi Kryesor në Prishtinë, një grup qytetarësh në Facebook po kërkojnë që i njëjti të zëvendësohet me flamurin e Kosovës në ditën e kur Kosova t’i mbushë 10 vjet të shtetësisë, më 17 shkurt.

Te rrethi kryesor i Prishtinës, një faqe në Facebook,  po bën thirrje që kjo të ndodh në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Nuk jemi kundër flamurit kuq e zi, i cili ka një simbolikë për gjithë kombin tonë, mirëpo për festen e 17 shkurtit – dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës nga komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Shpend Ahmeti kërkojmë që të vendoset flamuri i pavarësisë, pra flamuri i Republikës së Kosovës”, kanë thënë menaxhuesit e këtij grupi.

Aty është flamuri kombëtar, i cili ishte vendosur nga aktivistë të Vetëvendosje-s.

Pak kohë më parë, artisti Driton Selmani si pjesë e projektit të tij artistik e hoqi flamurin kombëtar për ta vendosur atë të “Offside-it” të lojës së futbollit.

http://kallxo.com/shpend-ahmeti-shpjegon-heqjen-e-sotme-te-flamurit/

Flamuri kombëtar ishte kthyer në shtizë gjatë asaj dite.

KALLXO.com ka pyetur Komunën e Prishtinës nëse kanë marrë kërkesë zyrtarë për ndërrimin e flamurit te rrethi, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Faqja në Facebook me moton “Kërkojmë vendosjen e flamurit të Kosovës tek rrethi në Prishtinë” është krijuar nga katër persona.