Gjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt | Foto: KALLXO.com

Gruaja e të akuzuarit dëshmon në gjykimin për vrasjen e Donjetës

Në seancën e dytë të rigjykimit të Naser Pajazitajt, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, i njoftoi palët se pas shikimit të vendit të ngjarjes ka urdhëruar Policinë e Kosovës matjen e kohës nga fshati Strellc e deri në vendin ku është gjetur viktima.

Gjithashtu trupi gjykues ka bërë përkthimin e raportit të sjellë nga Turqia lidhur me imazhet e marra nga kamerat e sigurisë të shtëpisë së Nedi Jusajt, e të gjitha këto raporte i janë dorëzuar prokurorit dhe mbrojtjes së të akuzuarit.

Në gjykimin e sotëm u dëgjua dëshmia e Dushe Pajazitajt, bashkëshortja e të akuzuarit, si dhe e Zeqir Zeqajt, Qamil Pajazitajt dhe e Ajdin Kamishajt.

Dëshmitarja Dushe Pajazitaj tha se me bashkëshortin atë ditë ishin në Pejë dhe se kur kishin arritur te stacioni i trenit, burri i saj, i akuzuari Naser Pajazitaj, i ka thënë: “Këqyre kjo kushërina!”.

Dëshmitarja tha se kur e ka kthyer kokën e ka parë dikë me flokë të bardhë, krah për krahu me një djalë, “por kerri ka qenë në shpejtësi, e nuk e di se kush ka qenë”, raporton KALLXO.com.

”Atë ditë nuk e di nëse kam pasur njohuri për zhdukjen e Donjetës”, deklaroi Dushe Pajazitaj.

“Për zhdukjen e Donjetës kam mësuar prej Naserit dhe pas 3 ose 4 ditësh bashkë me Naserin kemi shku te familjarët në shtëpi të saj, e pastaj kemi qenë edhe në vorrim”, tha ajo.

Ndërsa i dëmtuari Lumni Pajazitaj kishte vërejtje në deklaratën e dëshmitares, duke thënë që Donjeta ishte zhdukur të hënën ndërsa këta të dy kanë ardhur të martën në mbrëmje, raporton KALLXO.com.

Në gjykimin e kaluar ishin dëgjuar dëshmitarët Azem, Kastriot, Jetmir e Kushtrim Pajazitaj.

https://kallxo.com/vrasja-e-donjeta-pajazitaj-gjykata-pritet-te-dale-ne-vendin-e-ngjarjes-ne-strellc-te-decanit/

Për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, Prokuroria drejtoi gishtin akuzës drejt kushëririt të saj, Naser Pajazitajt.

Më pas, sot dëshminë e ka dhënë Zeqir Zeqaj, i cili kishte raporte shoqërore me të dy familjet.

Dëshmitari tha se në ditën e varrimit Naseri kishte qenë prezent.

“Jam i sigurt 100% që Naseri në varrim ka qenë i ulur në anën e djathtë”- deklaroi Zeqir Zeqaj.

Ndërsa dëshmitari tjetër Qamil Pajazitaj tha se Naser Pajazitajn nuk e kishte parë në varrim e as te drumi.

“Atë ditë me Donjetën e kemi bërë një copë rrugë, por për zhdukjen e saj e kam kuptuar pas dy ditësh në media”, tha dëshmitari Qamil Pajazitaj, raporton kallxo.com.

Për këtë vrasje Naser Pajazitaj ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues, duke u betuar se nuk ka të bëjë me vrasjen e kushërirës së tij.

https://kallxo.com/rrefimi-naser-pajazitajt-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitajt/

Ndërsa për dëshmitarin Idriz Gashi, i cili sot nuk ishte prezent, Gjykata lëshoi urdhëresë që i njëjti të sillet nesër në Gjykatë.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, kryetari i trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, e pyeti prokuroren e shtetit Valbona Disha-Haxhosaj se gjatë hetimeve a janë marrë teshat e të pandehurit për ekzaminim, por prokurorja e shtetit deklaroi se ”jo nuk i kemi marrë sepse kanë kaluar 6 javë dhe nuk e kemi parë të arsyeshme të merren për mostra”.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdon nesër, për të vazhduar me dëshmitarët e radhës.

Gjykata Themelore në Pejë e kishte shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015 ndërsa e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

https://kallxo.com/gjykata-merr-vendimin-per-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Gjykata e Apelit në tetor të vitit 2018, e ka kthyer rastin në rigjykim.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës e kishte vlerësuar gabimisht të vërtetën.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

https://kallxo.com/ekskluzive-arsyet-pse-apeli-e-ktheu-ne-rivendosje-rastin-e-vrasjes-se-donjeta-pajazitajt/

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

https://kallxo.com/vellai-donjeta-pajazitajt-grushton-te-akuzuarin-pas-seances/

www.kallxo.com