Pamje nga seanca e gjykimit të Arben Bashotës dhe Sylejman e Osman Bajramit - Foto: KALLXO.com

Gruaja e Ruzhdi Shaqirit Dëshmon në Gjykimin e Vëllezërve dhe Arben Bashotës

Në gjykimin e Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, ka dëshmuar motra e këtyre dy të fundit, njëherazi bashkëshortja e tanimë të ndjerit, Ruzhdi Shaqirit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin, i njohur si “Baksi” (i vrarë më 4 gusht të vitit 2014), kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Halime Shaqiri, e cila është gjithmonë prezente në sallën e gjykimit, ku vëllezërit e saj po përballen me akuzat e Prokurorisë, u mor në pyetje nga prokurorja.

Ajo tregoi se bashkëshorti i saj, tanimë i ndjerë, ka qenë ushtar dhe është marrë me ndërtim.

E pyetur nga prokurorja speciale, Merita Bina- Rugova, se a ka njohuri se çfarë lidhje ka pasur tani i ndjeri me tokën e kontestuar në Fushë-Kosovë, e njëjta u përgjigj: “Diçka di, por jo shumë nuk di, vetëm di se ka shpenzuar shumë për tokë me Arbenin dhe Osmanin”.

Shaqiri tha se tokën në fjalë e ka blerë nga 6 pronarë, duke përmendur emrat e Xhavit Bashotës, Shemsije Bashotës, ndërsa pronarët e tjerë deklaroi se nuk ka njohuri se kush janë.

Por, përkundër se e ka blerë, dëshmitarja tha se nuk posedon ndonjë dokumentacion për atë blerje.

“Nuk e di. Unë nuk kam asgjë dhe prej që më ka vdekur burri unë nuk jam marrë me asgjë, vetëm me fëmijët”, shtoi Shaqiri, e cila tha se aktualisht jeton me pensionin e invalidit të luftës.

“A ke qenë në zonën industriale për të kërkuar të holla nga dikush?”, ishte pyetja pasuese e prokurores Bina- Rugova.

Lidhur me këtë pyetje, dëshmitarja pohoi të ketë shkuar te toka në fjalë, por për të vetmen arsye që t’u dërgonte faturat qiraxhinjve që kanë qenë aty.

E pyetur nga prokurorja se të kujt kanë qenë ata qiraxhinj, dëshmitarja u përgjigj se nuk është marrë me atë punë, por vetëm vëllai i saj, Osmani.

“Kur ndodhi rasti, nuk e kam ditur as për çka janë arrestuar”, shtoi dëshmitarja.

“Ruzhdia në Drenicë ka shtruar rrugë, ka punuar me vëllaun e vet, Osmani dhe Ruzhdiu kanë punuar bashkë dhe kanë shtruar rrugë”, vazhdoi më tej ajo dëshminë.

Prokurorja më pas kërkoi që të shpjegojë se çfarë lidhje kanë pasur vëllezërit e saj, Osman dhe Sylejman Bajrami me tokën në fjalë.

Dëshmitarja u përgjigj se Osmani ka pasur lidhje vetëm me qiraxhinjtë, ndërsa Sylejmani nuk ka pasur fare lidhje.

Asaj më pas iu kërkua që të elaboronte lidhjen e Osmanit me qiraxhinjtë. Por, dëshmitarja tha se nuk di më tepër, vetëm se faturat qiraxhinjve u janë dërguar “ndërsa prej kujt ka qenë i autorizuar nuk e di”.

E pyetur nga prokurorja se çfarë lidhje ka pasur i akuzuari Arben Bashota me tokën në fjalë, dëshmitarja u përgjigj se ka qenë njëri nga pronarët, ndërsa Ruzhdi Shaqiri, bashkëshorti i saj, vetëm aksionar.

Më tej, dëshmitarja Shaqiri deklaroi se nga ajo tokë ka pasur fitim, pasi që i ka marrë qiratë që nga viti 2013. Kjo tha se ka filluar të ndodhë 7- 8 muaj para se të vritej Ruzhdiu. Përveç saj, ajo tha se edhe Arbeni dhe Osmani kanë marrë qira nga kjo tokë deri në momentin e arrestimit.

Ndër pyetjet e fundit të prokurores speciale për dëshmitaren ishte se a ia ka përmendur ndokush prej qiraxhinjve bashkëshortin e saj të ndjerë apo vëllezërit e saj lidhur me problemet rreth tokës, e njëjta u përgjigj: “jo, nuk kanë pasur kurrë probleme”.

Më pas, pyetje i parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.

“Në kohën kur janë arrestuar të pandehurit, si e dite që duhet të shkohet, si e morët vendimin?”, ishte pyetja e gjykatësit Hoti.

“Me gruan e Osmanit kemi shkuar. Ne vetë e kemi marrë vendimin pa e pyetur askënd dhe kemi shkuar të ju dërgojmë faturat qiraxhinjve, si dhe nuk kemi marrë para”, u përgjigj dëshmitarja.

Në seancat e kaluara, i dëmtuari Murat Tërnava kishte deklaruar se edhe pas arrestimit të të akuzuarve, objektet kishin vazhduar të shfrytëzoheshin nga familjarët e tyre, raporton KALLXO.com.

http://kallxo.com/deshmitari-kercenuan-se-te-ma-vrasin-djalin/

Ndryshe, Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

http://kallxo.com/deshmitari-arben-bashota-e-gjuajti-bomben-ne-lokalin-tim/

Pas propozimit të mbrojtjes për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre të akuzuarve dhe pas marrjes së vendimit të prokurores së rastit, Merita Bina- Rugova, kryetari i trupit gjykues Arben Hoti mori aktvendim përmes së cilit liroi nga arresti shtëpiak Osman Bajramin dhe Sylejman Bajramin, por jo Arben Bashotën.

Në këtë proces gjyqësor të dëmtuarit kanë treguar për presionet e të akuzuarve ndaj tyre.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.