Gruaja e ish-sigurimit të Hashim Thaçit: Vrasja e burrit nuk ishte politike

Afërdita Maloku, gruaja e Shani Malokut, pjesëtar i FSK-së dhe ish- sigurim i Hashim Thaçit që u vra nën Plloqicë të Malishevës në vitin 2018, tha se burri i saj nuk kishte probleme me askënd dhe se atë kohë kishte pasur shumë vjedhje në fshatin e tyre.

Më 9 mars 2018 u vranë dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku ndërsa të akuzuar lidhur me këtë ngjarje janë Besim dhe Blerim Maloku, po ashtu vëllezër.

Në gjykimin ku Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Malokun vetëm për armëmbajtje pa leje, para gjykatës së Gjakovës rrëfeu edhe gruaja e të ndjerit Shani Maloku.

Gruaja e pjesëtarit të FSK-së tregoi se burri i saj dy vite pas luftës kishte punuar si sigurim tek Hashim Thaçi.

“Burri im nuk është vrarë politikisht, por ai është vrarë nga hajnat”- tha ajo.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrec Dodaj tha se ka përshtypjen se ky rast që mbetën të vrarë dy vëllezërit Maloku, do të mbetet i pazgjidhur sikurse rasti “Pista”.

“Në seancën e kaluar ka qenë publik edhe një polic hetues por sot nuk qenka, andaj këtu besoj që ka diçka, prokuroria nuk më ka thirrë për të deklaruar por nëse më lejon burimi i informacionit atëherë unë jam i gatshëm për të deklaruar rreth vrasjes”-tha avokati Ndrec Dodaj.

Avokati Dodaj një seancë të kaluar kishte thënë se kjo aktakuzë e Prokurorisë “do të jetë shembull se si nuk duhet të punohet”.

Më pas dëshmoi Alban Maloku-kushëriu i të akuzuarve Besim dhe Blerim Maloku.

Ai tregoi se natën e 9 Marsit 2018, ishin mbledhur në odën e të ndjerëve për të luajtur me letra, bashkë me Xhemajlin, Hisniun, Afrimin, Fisnikin dhe Uliksin.

“Pas orës 12 i natës kam shkuar në shtëpinë time për të ngrënë bukë e për tu kthyer, kisha një parandjenjë të keqe e kur jam kthyer prej së largu i kam parë dy persona një të gjatë dhe një më të shkurtër, me armë në dorë, kanë qenë të maskuar dhe nuk i kam dalluar”- tha dëshmitari Alban Maloku.

“Unë u trondita dhe kam bërtitur pastaj dolën Uliksi dhe Bahria të parët kanë vazhduar ti ndjekin edhe pse unë ju kam thënë se janë të armatosur”- tha dëshmitari.

Ai tha se i kishe dëgjuar tri gjuajtje që përngjanin me armën automatike.

“Personi i gjatë ka pasur një shami deri te sytë ndërsa personi i shkurtë ka qenë me maskë”- tha dëshmitari Alban Maloku.

“Pasi është qëlluar Shaniu, Uliksi ka shajtur “Blerim çaza”- tha dëshmitari Alban.

Para trupit gjykues të përbërë prej kryetarit Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Ilir Rashkaj dhe Besarta Doli, dha dëshminë e tij edhe Afrim Maloku kushëriu tjetër i familjes Maloku.

Dëshmitari Afrim Maloku tregoi se natën kur u vranë dy vëllezërit Maloku, kishte qenë në shtëpinë e tyre duke luajtur me letra.

“Unë kam parë dy personat, nuk i kam vërejtuar nëse kanë qenë të maskuar, kanë pasur armë automatike të gjata (kallashë)”- tha dëshmitari Afrim Maloku.

“Menjëherë pasi e qëlluan Bahriun, Uliksi i ka ndjekur edhe 10 metra dhe e ka përmendur emrin e Blerim Malokut dhe ka bërtitur tre herë “o Blerim qaza të pashë”- deklaroj dëshmitari Afrim Maloku.

Ai tha se personi që ka qenë më i shkurtër i është dukur si Blerim Maloku dhe pas ngjarjes së ndodhur në fytyrën e Besim dhe Blerim Malokut kishte vërejtur shqetësim të madh dhe të ç’orientuar për shkak të ngjarjes tragjike që kishte ndodhur.

Ai tregoj se njëri prej personave kishte gjuajtur tre herë lartë në ajër, po edhe drejt tyre.

“Dy të akuzuarit të nesërmen kanë ardhur pas orës 7 të mëngjesit në vendin e ngjarjes”- tha ai.

Dëshmitari Afrim Maloku, u ballafaqua edhe me deklaratën e tij të dhënë në Polici, ku i njëjti kishte thënë që përveç Blerim dhe Besim Malokut mund të jetë i përfshirë edhe një kojshi i tyre me emrin e njëjtë Afrim Maloku.

Ndërsa sot duke e arsyetuar këtë qëndrim të tijin gjatë deklaratës së dhënë në Polici, ai tha se këto fjalë i kishte mbështetur me arsyetimin se Afrimi ishte shoqëruar me Besimin.

Seanca e sotme do të vazhdojë edhe nesër  me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në gjykimin e kaluar kishte dhënë detaje edhe eksperti që kishte kryer autopsinë e të ndjerëve.

Bahri dhe Shani Maloku po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin sipas prokurorisë nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

https://kallxo.com/gjykimi-per-vrasjen-e-pjesetarit-te-fsk-se-e-vellait-te-tij-ne-plloqice-te-malisheves/

Prokuroria po akuzon Besim Malokun për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.

Nga Prokuroria po akuzohen se kanë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta Shani Maloku ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në gjykimin e kaluar të mbajtur në muajin Dhjetor 2018, i akuzuari Besim ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim e kishte pranuar fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.

Gjykata kishte aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit ndaj Blerim Malokut.

Ndërsa i akuzuari Besimi gjendet në paraburgim prej 9Mars 2018.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën në muajin nëntor të 2018, për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 9 mars 2018, ku dyshohet se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.

Aktakuza ndaj Besim dhe Blerim Malokut, të cilët janë vëllezër, është ngritur nga prokurori Agron Matjani.

Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.

Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku.

Në aktakuzë thuhet se Blerim Malokut, në shtëpinë e tij i janë gjetur një pistoletë dhe një pushkë gjuetie e punuar me dorë dhe të njëjtat janë sekuestruar nga personat e autorizuar.

https://kallxo.com/prokuroria-pretendon-se-hajnat-e-vrane-pjesetarin-e-fsk-se/