Njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Aulon Zekës | Foto: KALLXO.com

Greva e shtyn seancën e Apelit për vrasjen e Aulon Zekës

Sot në Gjykatën e Apelit ishte paraparë të mbahej seanca ndaj të miturve që po gjykohen për vrasjen e Aulon Zekës.

Por për shkak të grevës së punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive, seanca nuk do të mbahet dhe do të shtyhet për një datë tjetër.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i palës së dëmtuar, Skender Musa.

Ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë parashtruar prokurori dhe pala e dëmtuar por edhe avokatët mbrojtës të të miturve.

Më 16 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë tre të miturit për vrasjen e të riut Aulon Zeka.

https://kallxo.com/gjykata-shpalli-denimet-per-vrasjen-e-aulon-zekes/

I mituri i parë është dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, e mitura e dytë me 3 vjet masë edukative ndërsa ndaj të tretit është shqiptuar masa e mbikëqyrjes nga organet e kujdestarisë për 1 vjet e gjashtë muaj.

I mituri i parë është dënuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes, e mitura e dytë është dënuar për ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale dhe i mituri i tretë moslajmërim të veprës penale.

Për vrasjen e Aulon Zekës akuzoheshin dy të mitur, ndërsa një tjetër po ngarkohet për moslajmërim të kësaj vepre penale.

Aulon Zeka u vra më 16 shtator 2017 në Prishtinë.

Seancat e këtij gjykimi kanë qenë të mbyllura, ndërsa gati sa herë ato janë zhvilluar, te Pallati i Drejtësisë ka pasur protesta për ndriçimin e vrasjes së Zekës.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi gjykimin për vrasjen e Aulon Zekës. Raportimet nga ky proces mund t’i gjeni në këtë link.

Pas vrasjes së tij, bashkëmoshatarë të Aulon Zekës kishin protestuar para gjykatës për të kërkuar drejtësi.

https://kallxo.com/kerkohet-drejtesi-per-aulon-zeken/

Vendimi i punëtorëve të gjykatave dhe prokurorive për të hyrë në grevë vjen pak javë pasi qeveria ka marrë një vendim për rritjen e pagave deri në 100 % për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.

Me këtë vendim përfitojnë edhe gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës meqë ligji në Kosovë përcakton rrogën e një gjyqtari dhe prokurori sa të një ministri.

Naim Shala, kryetar i Këshillit Grevist në Prishtinë tha se greva e nisur sot nuk do të ndërpritet.

Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive në grevë. Foto: Kallxo.com

“Greva do të zgjatë deri sa të plotësohet kërkesa jonë që e kemi një kërkesë të vetme ngritja e të ardhurave personale në shkallën 100% për të gjithë stafin administrativ të gjykatave dhe prokurorive, pasi që një gjë e tillë ka ndodhur për kabinetin qeveritar zyrtarët tjerë publikë, gjyqtarët dhe prokurorët”, tha Shala për KALLXO.com.

https://kallxo.com/greva-pamundeson-mbajtjen-e-seances-ndaj-shukri-bujes/

Për shkak të grevës së administratës, të mërkurën asnjë palë nuk është duke u lënë që të hyjë në gjykatë apo në prokurori.

Punëtorët e sigurimit për KALLXO.com kanë thënë se nuk e dinë se sa do të zgjasë greva por që momentalisht u është thënë që të mos lënë asnjë palë që të hyjë brenda për shkak së punëtoret e administratës janë në grevë.

Kërkesa e grevistëve është rritja e pagave për 100%, për rreth 2 mijë punëtoret e administratës dhe rregullimi i statusit të tyre.

Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive në grevë. Foto: Kallxo.com