Foto Arkiv: Greva e Mesimdhenesve

Greva e Mësimdhënësve në Prishtinë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës ka mbajtur sot një grevë një ditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.

Mësimdhënësit janë paraqitur në vendin e tyre të punës, mirëpo klasat kanë qenë boshë. Ata janë grumbulluar në një sallë për t’iu përgjigjur thirrjeve të Sindikatës për grevë një ditore.

Janë dhënë disa arsye që e kanë shtyrë Sindikatën të hyjë në grevë: Duke përfshirë projektligjin për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta dhe mos-zbatimi i kontratës kolektive.

Nexhmije Krasniqi, mësimdhënëse në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë tha se mësimdhënësit po shpresojnë që kërkesat e tyre të plotësohet.

“Pasi që jemi pjesë e sindikatës, edhe ne jemi në grevë, i përkrahim qëndrimet e sindikatës. Kjo grevë është për arsye se ajo çka është premtu në vitin 2017, ajo marrëveshje nuk është implementu dhe për atë arsye ne kemi dal në grevë”.

Selami Salihu mësimdhënës në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë pret që qeveria të reflektojë sa më shpejtë.

“Besojë se edhe Qeveria e ka në konsideratë, dhe shpresojmë që së bashku me SBASHKU-n do ta arrijmë qëllimin dhe do të kemi një mirëkuptim ose reflektim pozitiv dhe do t’ju përgjigjen kërkesave të mësimdhënësve” u shpreh Salihu.

Salihu grevën e sotme e ka konsideruar si një tërheqje e vërejtjes për mos përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Ne mendojmë se kjo është një tërheqje e vërejtjes, përndryshe nëse nuk ka koordinim dhe bashkëpunim ne mendojmë se më vonë do të vazhdojmë me grevë gjenerale”, tha Salihu për KALLXO.com.