Pamje nga Green Fest 2017 në Mitrovicë. Foto: Facebook

GREEN Fest sjell ‘imagjinatë pa fund’ në Mitrovicë

Në qytetin e Mitrovicës nesër do të fillojë edicioni i tetë i festivalit ‘GREEN Fest”.

Festivali i cili organizohet nga 7Arte, si çdo vit tjetër, pritet të sjellë artistë të ndryshëm dhe synon të ndërgjegjësojë opinionin kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit.

Tema e sivjetme “Imagjinatë pafund” ka për synim të nxisë debat dhe ide mbi mënyrat e të jetuarit në harmoni me natyrën, duke konsumuar e prodhuar me përgjegjësi.

Green Fest këtë edicion do të mbahet pranë Liqenit Artificial në Mitrovicë përgjatë datës 17 – 18 Gusht, nga ora 20:30 – 00:00.

Gjatë këtyre dy netëve priten të performojnë artistë të ndryshëm në mesin e të cilëve grupi NA, Jericho etj.

Në kuadër të festivalit do të organizohet edhe aktiviteti “Green Open Air Cinema” i cili këtë vit shënon edicionin e 10’të.

Ndërsa kinemaja e hapur ka qenë dhe do të jetë aktive gjatë tre netëve të 14, 15 e 16 gushtit.

Përgjatë kësaj kohe do të shfaqen filma të zhanreve të ndryshme, kurse mbrëmë është shfaqur premierë edhe filmi artistik “Martesa” nën regji të Blerta Zeqirit.

Lulzim Hakaj nga 7arte për KALLXO tha se para 10 viteve kishte filluar me aktivitete kulturore në hapësirat publike, me kinema të hapur filmat ishin shfaqur buzë lumit Ibër. Kurse më vonë kishte lindur ideja për zgjerimin edhe në fushat tjera si në muzikë .

“7arte para 10 viteve ka filluar me aktivitete kulturore në hapësira publike. Fillimisht me Kino e Hapur ku është organizuar në Kej (buzë lumit), prapa stadiumit të Trepçës 89, në shesh, oborr të muzeut tē qytetit, edhe disa raste në fshatra përreth. Kurse para 8 viteve ka lind ideja për zgjerim ne fusha tjera, muzikë. Kështu ka qenë fati me u zgjeru edhe me debate vetëdijesuese për mbrojtjen e ambientit, panaire promovuese të grave në biznes, etj. Kryesisht, përmes këtyre aktiviteteve dhe projekteve tjera, 7arte avokon në politik bërje në fushën e kulturës dhe mjedisit në qytetin e Mitrovicës “, tha Hakaj për KALLXO.