Gratë Kosovare Marrin më Pak Kredi për Biznese se Burrat

Gratë sipërmarrëse në Kosovë tentojnë të krijojnë dhe të udhëheqin bizneset e tyre vetë dhe se i shfrytëzojnë kreditë më pak se burrat, thotë një raport i ri.

Në Kosovë, mbi 80 për qind e grave janë jo aktive në tregun e punës dhe vetëm dhjetë për qind e bizneseve aktive të vendit janë në pronësi të grave.

Rreth 94 për qind e grave sipërmarrëse të Kosovës kanë bizneset individuale dhe rreth 70 për qind prodhojnë më pak se 10 mijë euro qarkullim vjetor, thuhet në raportin e ri nga Instituti Riinvest.

“Kjo nuk është unike për Kosovën, por të dhënat për Kosovën janë më shqetësuese … struktura e bizneseve të grave që operojnë pasqyron tërë strukturën e ekonomisë së Kosovës”, tha Alban Hashani nga Instituti Riinvest në lansimin e raportit të enjten. Ai argumentoi se Kosova ka nevojë për programe afirmative për të përmirësuar situatën e grave në tregun e punës.

“Sipërmarrja e grave: Një analizë për të bërit biznes në Kosovë” vlerëson karakteristikat e sipërmarrjes së grave në vend dhe sfidat unike me të cilat përballen, bazuar në anketat e 313 grave sipërmarrëse.

Gratë e anketuara thanë se motivuesi kryesor për fillimin e një biznesi ishte fitimi financiar, i ndjekur nga mungesa e gatishmërisë për të punuar për dikë tjetër dhe papunësia.

Gjetjet tregojnë se shumica e bizneseve të drejtuara nga gratë janë biznese të vogla, kryesisht të orientuara drejt shërbimeve dhe tregtisë, veçanërisht bukurisë dhe rregullimit të flokëve. Shumica e grave, 88.3 për qind, fillojnë sipërmarrjet e tyre me kapitalin e tyre. Pronarët burra të bizneseve pothuajse dy herë më shumë ka të ngjarë të kenë përdorur një hua bankare, vetëm 10 për qind e pronareve gra të bizneseve kanë marrë një hua nga një institucion financiar.

“Ka pasur debate publike në lidhje me atë se nëse gratë janë kliente të mira për kredi. Hulumtimi ynë tregon se gratë janë klientë model, me norma të larta të pagesës së kësteve në kohë”, tha Dita Dobranja, hulumtuese e Riinvest. Ajo shtoi se burrat sipërmarrës kanë tendencë të kenë norma më të larta të qarkullimit vjetor dhe norma shumë më të larta të përfitimit nga prokurimet publike.

Shumica e grave të anketuara, 85 për qind, thanë se nuk janë përballur me diskriminimin gjinor kur i kanë regjistruar biznesin e tyre dhe 66 për qind thanë se shoqëria kosovare mbështet gratë sipërmarrëse.

Pengesat kryesore të raportuara në anketë ishin normat e taksave, një treg i vogël dhe ngarkesa administrative. Pengesa kryesore specifike për bizneset në pronësi të grave u raportua detyrimi familjar, me rreth 47 për qind të grave duke thënë se kujdesi për familjen kufizon aftësinë e tyre për t’u angazhuar në aktivitetet afariste.

Sidoqoftë, Syzana Aliu, pronare e një firme prodhimi të akulloreve dhe djathit prej 110 punonjësish, Magic Ice, tha se sheh normat shoqërore si sfidën më të madhe.

“Më vjen keq të them se shprehja më shpesh e dëgjuar kur lind një fëmijë është ‘a është djalë apo vajzë?’ Gratë janë parë si të dobëta që nga dita e parë e jetës. Ata thonë se gratë duhet të punojnë dy herë më shumë për të paguar sa gjysma e asaj që paguhen burrat. Unë e balancoj këtë sa më shumë që mundem në kompaninë time”, theksoi Aliu në lansimin e raportit.

Ajo shtoi se është mirënjohëse për mbështetjen e plotë të bashkëshortit dhe prindërve të saj, gjë që u pasqyrua në të dhënat: 89 për qind e grave thanë se familjet e tyre mbështetën sipërmarrjet e tyre.

Por të dhënat e mbledhura sugjerojnë që edhe bizneset në pronësi të grave nuk respektojnë Ligjin e Punës kur bëhet fjalë për pushimin e lehonisë, rreth 64 për qind e të anketuarve besojnë se punonjësit e tyre nuk marrin pushimin e lehonisë sipas ligjit. Megjithatë, raporti thotë, shumica e grave besojnë se Ligji i Punës nuk duhet të ndryshohet, dhe shumica gjithashtu mendojnë se duhet të mbulohet pushimi i baballarëve, me 3 në 4 gra që thonë se do të financonin pushimin e baballarëve.