Gramos Ruçi në takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli. Foto: Kallxo.com

Gramos Ruçi: Doganierët të Mos ua Nxijnë Jetën Biznesmenëve

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi, tha sot në Prishtinë se dy parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës do të angazhohen për të krijuar lehtësira në bashkëpunim në ato çështje të cilat kohëve të fundit janë treguar problematike në raportet ndërmjet dy vendeve.

I ardhur në Kosovë për herë të parë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit shqiptar, Ruçi është pritur nga homologu i tij kosovar Kadri Veseli me të cilin tha se janë pajtuar për ngritjen e një komiteti të përbashkët deputetësh për t’i adresuar këto çështje.

“U dakordësuam tërësisht që dy parlamentet ta krijojnë një Komitet për të zgjidhur problemet legjislative për të lehtësuar mjaft pengesa siç janë çështja e studentëve, qoftë të studentëve shqiptarë në Kosovë, qoftë të kosovarëve në universitetet shqiptare në mënyrë që brenda një muaji ta zgjidhim të gjithë problematikën e evidentuar deri tash”, tha Ruçi.

“E njëjta gjë edhe sa i përket lëvizjes së njerëzve, lejeve të qëndrimit apo çështjeve të regjimeve doganore që edhe biznesmenit kosovar të mos i nxijë jetën doganieri nga Shqipëria edhe tregtarit shqiptar të mos i nxijë jetën doganieri kosovar”, shtoi ai.

Ndërsa Veseli tha se është duke u punuar në “intensifikimin e raporteve” ndërsa lavdëroi Shqipërinë për mbështetjen që po i jep Kosovës.

“Shqipëria është avokati jonë që promovon Kosovën. Asgjë nuk na ndan, çdo gjë na bashkon”, tha Veseli.

Pas takimit me Vesel8in, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është takuar edhe me Presidentin Hashim Thaçi nga i cili është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” me motivacion “për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Është hera e parë që marr medalje. E ndaj këtë me të gjithë bashkëatdhetarët e mi në Shqipëri”, tha Ruçi.

Gramos Ruçi në takim me Presidentin Thaçi. Foto: Kallxo.com